HMD Global, kompania që që nga viti 2017 mbante licencën për markën Nokia në telefonat mobil, ka ndërprerë plotësisht shitjen e të gjitha telefonave inteligjentë Nokia përmes faqes së saj zyrtare.
Gjiganti dikur i pakonkurrueshëm i industrisë së telefonave mobilë, Nokia, po tërhiqet zyrtarisht nga tregu i smartfonëve. HMD Global – që gjatë viteve të fundit prodhoi telefona nën markën Nokia – ka hequr nga faqja e saj të gjithë modelet e telefonave inteligjentë, duke shënuar kështu simbolikisht mbylljen e një kapitulli të madh në historinë e telefonisë mobile.
Gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, Nokia ishte sinonim i telefonave mobilë. Modele ikonike si Nokia 3310 dhe “bananja” (modeli 8110) mbetën të njohura për qëndrueshmërinë, baterinë e gjatë dhe dizajnin unik. Në kulmin e suksesit të saj, Nokia kontrollonte deri në 40 për qind të tregut global të telefonave. Në atë kohë, tingulli i ziles Nokia ishte pjesë e përditshmërisë për miliona njerëz.
Megjithëse Nokia ishte lidere në inovacion, me fillimin e epokës së telefonave inteligjentë bëri një gabim vendimtar – e anashkaloi ndikimin në rritje të Android-it dhe iPhone-it. Kompania vazhdoi të mbështetej në sistemin operativ tashmë të vjetruar Symbian, ndërsa më vonë as partneriteti me Microsoft-in dhe kalimi në Windows Phone nuk arriti ta rikthente lavdinë e dikurshme.
Analizat tregojnë se përveç strategjisë së dobët, edhe klima e brendshme e frikës dhe pasigurisë ndikuan në rënien e kompanisë. Nokia thjesht reagoi shumë vonë ndaj ndryshimeve në industri.
Edhe pse telefonat inteligjentë Nokia janë mbyllur, marka ende ekziston. Kompania është e përqendruar tani në zhvillimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, rrjeteve 5G dhe licencave për patenta.
Ndërkohë, HMD Global – tani e njohur si Human Mobile Devices – vazhdon të zhvillojë telefonat e saj, por nuk e përdor më emrin Nokia për pajisjet Android. Megjithatë, telefonat klasikë me logon Nokia ende mund të gjenden në treg. /Telegrafi/
Leave a Reply